DEKLARATË

NEVOJITEN MASA URGJENTE!

DËSHTIMI I RADHËS NË PARANDALIMIN DHE MBROJTJEN E VIKTIMAVE TË DHUNËS ME BAZË GJINORE!

 

DREJTUAR:

PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË,

Zotit Ilir Meta,

KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË,

Në vëmendje të zotit Gramoz Ruci, Kryetar i Kuvendit të RSH,

  1. Edi Paloka, Zëvendëskryetar, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

Znj.Vasilika Hysi, Zëvendëskryetare, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

Nënkomisionit “Për barazinë gjinore dhe parandalimin e dhunës ndaj gruas” pranë Komisionit përgjegjës për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

 

KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË,

Në vëmendje të zotit Edi Rama, Kryetar,

Znj. Ogerta Manastirliu, Ministre, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Znj. Etilda Gjonaj (Saliu), Ministre, Ministria e Drejtësisë

Z.Fatmir Xhafaj, Ministër, Ministria e Brendshme

 

Një tjetër lajm tronditës për gratë dhe vajzat në shoqërinë shqiptare. Vajza 21 vjeçare, studente në vitin e tretë në Fakultetin e Drejtësisë, Ariela Murati, humbi jetën nga dhuna. Një histori e përsëritur e krimit ndaj vajzave. Paola Bisha, një tjetër 21 vjeçare u vra për të njëjtën arsye në qytetin e Vlorës në vitin 2015. Një tentative vrasjeje u krye ndaj një të miture 14 vjeç nga kushëriri i saj, disa ditë më parë.

Këto ngjarje tregojnë se sa e nevojshme është marrja e masave urgjente, me qëllim rritjen e raportimit të rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave, në të gjitha format që ajo paraqitet, duke përfshirë edhe kërcënimet për kryerjen e këtyre akteve, si në jetën publike, ashtu edhe private.

Masa urgjente nevojiten edhe për ndërgjegjësimin e shtetasve. Askush nuk ka të drejtë të konsiderojë vajzat dhe gratë si pronë të tyre. Refuzimi nga vajzat dhe gratë për të qenë në një marrëdhënie dashurie, bashkëjetese a martese ose e drejta për të ndërprerë këto marrëdhënie janë shprehje e lirisë së personit dhe duhet të respektohen nga kushdoqoftë.

Anëtarët e Rrjetit të Monitorimit kundër Dhunës me bazë Gjinore bëjnë thirrje që,

  • Së pari, është e nevojshme rishikimi i legjislacionit të brendshëm, me qëllim që të parashikohen masa urgjente mbrojtjeje, jo vetëm në rastet e dhunës në familje, por edhe në rastin e formave të tjera të dhunës ndaj grave. Kjo është një kërkesë edhe e nenit 53 të Konventës së Këshillit të Evropës “Për Parandalimin dhe Luftën e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje” dhe Raportit të GREVIO-s për Shqipërinë, të cilat kërkojnë nga autoritetet që urdhrat me karakter shtrëngues dhe mbrojtës të jenë të vlefshme për viktimat e të gjitha formave të dhunës.
  • Së dyti, institucionet përgjegjëse, në nivel qendror dhe vendor duhet të ndërmarrin veprime të koordinuara për çrrënjosjen e qëndrimeve dhe sterotipeve shoqërore që justifikojnë dhunën me bazë gjinore.
  • Së treti, masave të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse, në zbatim të legjislacionit kundër dhunës me bazë gjinore, u ka munguar koordinimi, për rrjedhojë në mjaft raste nuk kanë qenë efektive. Këto institucione, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile të marrin masa efektive dhe të koordinuara për rritjen e ndërgjegjësimit, parandalimin, mbrojtjen nga dhuna si edhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse të specializuara për viktimat e dhunës me bazë gjinore në të gjitha format e saj.
  • Së katërti, ne organizatat e shoqërisë civile bëjmë thirrje që, çdo vajzë dhe grua që ndihet e frikësuar, e kërcënuar, e dhunuar në jetën private dhe publike, të denoncojë pa frikë rastet e kërcënimeve dhe të dhunës, duke u drejtuar pranë organeve të policisë dhe Organizatave Jo Fitimprurëse që ofrojnë këto shërbime. Nga ana e tyre, organet e policisë ka nevojë të përgatiten më mirë që të trajtojnë drejt çdo rast kërcënimi dhe të vlerësojnë më mirë rrezikun që mund të vijë prej tyre, me qëllim parandalimin e dhunës ekstreme.
  • Së pesti, institucionet përgjegjëse, në nivel qendror dhe vendor në bashkëpunim me OJF aktive në fushën e dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore duhet të ndërmarrin fushata ndërgjegjësuese që ndihmojnë në parandalimin e këtyre rasteve ekstreme. Media mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim, duke mos i raportuar këto si krime pasioni, por krime me bazë gjinore.
  • “Rrjeti i monitorimit kundër dhunës me bazë gjinore” i përbërë nga organizata jofitimprurëse aktive në fushën e barazisë gjinore, dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje do të angazhohet çdo ditë për të mos pasur Arielën, Paolën, Liljanën, apo një viktimë tjetër të radhës. Ky rrjet do të përshkallëzojë hapat e mëtejshme ndaj këtij fenomeni, me masa konkrete në bashkëpunim me të gjithë aktorët përgjegjës, autoritetet përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor, Kuvendin dhe institucione të tjera!

 

Anëtarët e Rrjetit të monitorimit kundër dhunës me bazë gjinore

  1. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare
  2. AWEN – Rrjeti i fuqizimit të gruas në Shqipëri
  3. Shoqata Gruaja tek Gruaja, Shkodër
  4. Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim,  Tiranë
  5. Shoqata Unë Gruaja, Pogradec
  6. Shoqata Agritra Vizion, Peshkopi
  7. Forumi i Gruas Elbasan
  8. Shoqata Jona, Sarandë
  9. Zyra për Djem dhe Burra, Shkodër
  10. Qendra “Të Drejtat e Njeriut në Demokraci” (QDNJD)
  11. Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”
  12. Shoqata “Të ndryshëm dhe të barabartë”
  13. Shoqata YWCA Shqipëri
  14. IPSED – Instituti për Promovimin e Zhvillimit Social Ekonomik
  15. Instituti Shqiptar për Çështjet Publike, AIPA
  16. Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin ACPD
  17. Fondacioni Mary Ward Loreto
  18. Komiteti Shqiptar i Helsinkit
  19. Qendra “Fëmijët Sot”
  20. Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut
  21. Qendra Kombëtare për Shërbime Sociale
  22. Shoqata “Gruaja drejt Integrimit”
  23. Qendra Psiko – Sociale “Vatra”
  24. Qendra Për të Drejtat e Gruas Rome
  25. Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar. FSHDPA
  26. Shoqata e Grave Profesioniste dhe Afariste
  27. Qendra “Në Familje për Familjen”
  28. Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë
  29. Shoqata e Personave që Jetojnë me HIV/AIDS (PLWHA)
  30. Shoqata e Grave me Probleme Sociale
  31. Shoqata Kombëtare “STOP – AIDS”
  32. Shoqata Refleksione
  33. Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara (QSHPLI)
  34. Linja e Këshillimit për burra dhe djem (CLMB);
  35. Linja Kombëtare e Këshillimit për Gra dhe Vajza, 116117;
  36. Qendra “Shërbim Ligjor falas” TLAS.
  37. Shoqata “Zëri i fëmijeve na thërret”
  38. ‘Ad Litem’
  39. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Femijëve në Shqipëri – CRCA
  40. ALO 116;
  41. Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri;