REAGIM PUBLIK TË PARANDALOJMË DHUNËN DUKE DENONCUAR “PERNDJEKJEN”

Rrjeti i Monitorimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore

 

REAGIM PUBLIK

 

TË PARANDALOJMË DHUNËN DUKE DENONCUAR “PERNDJEKJEN”

Neni 121/a i Kodit Penal

 

“Rrjeti i Monitorimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” paraqet këtë reagim në emër të 26 organizatave të shoqërisë civile, për të dënuar publikisht dhunën e ushtruar ndaj të rejave e të rinjve, si dhe për të drejtuar këtë thirrje për parandalimin e ndëshkimin e saj.

 

Duke marrë shkas nga agresioni i dhunshëm i tre personave që rrezikoi seriozisht jetën e një djali dhe një vajze, ndodhur në zonën pranë “Unaza e Re”, Tiranë, më 6 maj të këtij viti, ne këmbëngulim në thirrjen tonë të përsëritur se raste të tilla, duhet dhe mund të parandalohen. Nga pohimet e agresorit Halit Ndreu, që janë bërë të njohura në mediet elektronike, konstatojmë se ka pasur edhe më parë ngacmime ndaj vajzës dhe veprimet e tij kanë qenë të përsëritura. Gjithashtu, gjatë punës sonë, kemi konstatuar se ndaj të rinjve e veçanërisht ndaj vajzave të reja, ushtrohen shpesh ngacmime të përsëritura që i bëjnë ato të ndihen të frikësuara e të kërcënuara.

 

Prandaj thirrja jonë sot u drejtohet qytetarëve, në mënyrë të veçantë të rejave dhe të rinjve, të denoncojnë rastin e kërcënimeve ose të ngacmimeve të përsëritura pranë komisariatit më të afërt të Policisë a në Prokurori, me qëllim që të parandalohet përshkallëzimi i dhunës.

 

Në nenin 121/a të Kodit Penal është parashikuar vepra penale “Përndjekja”, e cila vendos dënimin me burgim të personit që kërcënon ose ngacmon dikë me veprime të përsëritura, me qëllim që t’i shkaktojë atij një gjendje të vazhdueshme ankthi apo frike për sigurinë vetjake, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e jetesës. Që nga viti 2012, koha kur ligji që sanksionoi këtë vepër penale hyri në fuqi, deri në vitin 2016, kemi të dhëna nga statistikat e publikuara të Ministrisë së Drejtësisë, se janë gjykuar në të gjithë Republikën 168 raste. Nga këto, janë shpallur fajtorë për veprën penale të Përndjekjes 164 persona. Këto shifra janë një tregues i lartë i efektshmërisë së gjykimit, por njëkohësisht dëshmojnë se, për fat të keq, ky fenomen është i përhapur.

 

Vepra penale “Përndjekja” në Kodin tonë Penal, ka karakter jo vetëm ndëshkues, por edhe parandalues, sepse denoncimi në këtë fazë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës. Ngacmimet e përsëritura janë shenjat e para që duhet t’i kthejmë në favorin e jetës dhe të shëndetit të qytetarëve, vajzave e djemve, grave e burrave. Kur dhuna përshkallëzohet mund të jetë shumë vonë.

 

Përndjekja ka qenë një nga shkaqet për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes nga Gjykata në Procesin Civil. Por, legjislacioni ynë aktual, parashikon se ky urdhër mbron personat vetëm nga dhuna në familje. Në këtë rast, thirrja jonë u drejtohet autoriteteve shtetërore, Kuvendit, Këshillit të Ministrave (në vëmendje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, si dhe të Ministrisë së Drejtësisë), që të ndërmarrin sa më parë nismën ligjore për të vendosur nën mbrojtjen ligjore gratë e vajzat që dhunohen me të gjitha format e dhunës ndaj grave, pavarësisht nëse dhunuesit janë apo jo në marrëdhënie familjare me to. Ky është një detyrim që buron edhe nga Konventa e Këshillit të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, e cila është ratifikuar nga Shteti Shqiptar me ligjin nr. 104/2012.

 

Shoqëria shqiptare pret më shumë edhe nga mbështetja e organeve të pushtetit vendor në lidhje me këtë çështje. Një thirrje nga ne u drejtohet veçanërisht Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve pranë pushtetit vendor. Bashkëpunimi i tyre, me prindërit, shkollat dhe komunitetin, do të mbështesë të rinjtë dhe të rejat të dënojnë dhe të denoncojnë këtë formë të dhunës, si dhe të parandalojnë dhunën e mëtejshme.

 

Rrjeti i Monitorimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore ofron ndihmë të specializuar për mbrojtjen nga dhuna. Prandaj, ju bëjmë thirrje të kërkoni ndihmë edhe pranë klinikave ligjore dhe psiko-sociale të organizatave të këtij rrjeti. Ne ju këshillojmë dhe ju mbështesim të drejtoheni pranë organeve kompetente ose tek një specialist i fushës.

 

Na kontaktoni në numrat e telefonit të Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza 116117 dhe (04)2233408, dhe për çdo nevojë ne veprojmë one stop shop, në rrjet me njëra-tjetrën.

 

Le të japim të gjithë kontributin tonë për një shoqëri të paqtë ku të jetojmë pa dhunë!

 

Ju faleminderit!

 

Tiranë, më 09.5.2018

 

Organizatat e Rrjetit të Monitorimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore

 

  1. Të ndryshëm dhe të barabartë
  2. Shoqata “Unë, Gruaja”
  3. Shoqata “Në Familje për familjen”
  4. Fondacioni Shqiptar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar
  5. Komiteti Shqiptar i Helsinkit
  6. Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
  7. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave te Fëmijëve ne Shqipëri
  8. Shoqata në dobi të gruas Shqiptare
  9. Qendra për Zhvillimin e Grave Rurale
  10. Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe te Rinjve
  11. Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri AWEN
  12. Qendra për te Drejtat e Gruas Rome
  13. Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare
  14. Ambasada PINK
  15. ALO 116 Shqipëri.
  16. Qendra të Drejtat e Njeriut ne Demokraci
  17. Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut
  18. Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza
  19. Linja e Këshillimit për Burra dhe Djem
  20. Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për te Ardhmen”
  21. Qendra “Fëmijët Sot”
  22. Shoqate e Grave Me Probleme Sociale – Durrës
  23. Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore te integruara
  24. Qendra Psiko Sociale “Vatra
  25. Shoqata  kombëtare e Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare
    Rrjeti  kombetar i biznesit femëror
  26. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare
sqShqip