Të dhëna mbi dhunën në familje
Raporte dhe studime të ndryshme tregojnë se dhuna në familje përbën një nga format e dhunës me bazë gjinore, me të cilën sidomos gratë dhe fëmijët përballen në shoqërinë tonë.
Numri i vrasjeve në familje[1]
Viti | Gjithsej | Gra | Fëmijë |
2010 | 20 | 12 | – |
2011 | 30 | 15 | 3 |
2012 | 28 | 14 | 3 |
2013 | 28 | 17 | 1 |
Përhapja e këtij fenomeni shqetësues është shoqëruar me masa për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe ndëshkimin e autorëve. “Sipas prokurorisë, për 2012 – 2013, vepra 130/a e Kodit Penal zë respektivisht 88% dhe 87% të procedimeve të regjistruara për grup për veprat penale kundër fëmijëve, martesës, familjes në totalin e 371 procedimeve (2012) dhe 946 procedimeve (2013). Numri i procedimeve është rritur me 150% në 2013 (826 procedime penale me 791 të pandehur, krahasuar me 328 procedime me 255 të pandehur në 2012). Ka rritje me 255% të numrit të personave ndaj të cilëve është ngritur akuzë në gjykatë gjatë 2013 (dërguar për gjykim 589 procedime dhe ngritur akuza për 606 të pandehur, krahasuar me 159 procedime dërguar për gjykim dhe 171 akuza të ngritura për 2012). Për këtë vepër penale janë dënuar: 69 të pandehur (2012); 405 të pandehur (2013). Mbi dhunën seksuale, rezulton 1 procedim penal i regjistruar për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë midis bashkëshortëve/bashkëjetuesve (2013)[2]..”
Sipas Raportit të Amnisty International 2015/2016, lidhur me dhunën ndaj grave dhe vajzave, Policia e Shtetit ka raportuar 1,696 raste të dhunës në familje në gjashtë muajt e parë të vitit 2015, duke kërkuar 993 kërkesa për urdhra mbrojte.
Nga 406 kërkesa të paraqitura në gjykatat e kryeqytetit mes janarit dhe gushtit te vitit 2015 vetëm 118 urdhra janë lëshuar, ndërkohë 251 aplikantë kanë tërhequr kërkesën e tyre, apo nuk kanë ndjekur proceset gjyqësore për shkak të presionit nga abuzuesit ose anëtarët e familjes së tyre. Në Tiranë, mes janarit dhe qershorit, të pandehurit janё dënuar për dhunë në familje në 185 nga 190 ndjekje penale; shumica kanë pranuar fajësinë[3] .
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë[4], për periudhën janar-shtator 2016, janë raportuar 3195 raste dhune në familje, duke shënuar rritje në krahasim me vitin 2015.
Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, për vitin 2016, janë raportuar 4163 raste dhune dhe krimi në familje. Nga këto 3062 janë gra/vajza të dëmtuara nga dhuna, ose 78% e nr. total të rasteve të raportuara. 22% janë burra/djem dhe 186 janë të mitur. 16 raste janë rregjistruar me vrasje, ku 11 janë gra/vajza dhe 3 të mitur[5].
Komisioneri per Mbrojtjen nga Diskriminimi, në trajtimin e rasteve të diskriminimit ndër vite ka konstatuar se numri i ankesave për diskriminim për shkak të gjinisë kryesisht është i ulët. Referuar ankesave të shqyrtuara, në rastet kur KMD ka konstatuar diskriminimi, rezulton se viktimat janë kryesisht gratë.[6]
[1] Burimi: VENDIM Nr. 806, datë 26.11.2014,”PËR MIRATIMIN E RAPORTIT TË KATËRT PERIODIK KOMBËTAR MBI ZBATIMIN E KONVENTËS ‘PËR ELIMINIMIN E TË GJITHA FORMAVE TË DISKRIMINIMIT NDAJ GRAVE’”
[2] Burimi: VENDIM Nr. 806, datë 26.11.2014,”PËR MIRATIMIN E RAPORTIT TË KATËRT PERIODIK KOMBËTAR MBI ZBATIMIN E KONVENTËS ‘PËR ELIMINIMIN E TË GJITHA FORMAVE TË DISKRIMINIMIT NDAJ GRAVE’”
[3] Marrë nga “Amnisty International Report 2015/ 2016”, f. 64
[4] http://out.easycounter.com/external/sociale.gov.al
[5] drejtorite-e-pergjithshme/drejtoria-e-pergjithshme-e-policise-se-shtetit, referuar në Raportin Vjetor 2016 të KMD.
[6] Fjala e KMD në Sesionin e 64-t të CEDAW, mbajtur në Gjeneve, korrik 2016.