THIRRJE PUBLIKE! MASA URGJENTE PËR NDËSHKIMIN E AUTORËVE TË DHUNËS NDAJ GRAVE CILADO QOFTË VESHJA ZYRTARE OSE MBËSHTETJA E TYRE POLITIKE

Drejtuar:

 Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

 

Zj. Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme e RSh

 

Zj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe e Çështjeve Sociale

 

Zj. Etilda Gjonaj, Ministre e Drejtësisë

 Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm

 

 

Rrjeti i monitorimit kundër dhunës me bazë gjinore shpreh shqetësimin për pafuqinë e organeve përgjegjëse shtetërore për të proceduar dhe dërguar në kohë përpara organeve të drejtësisë autorin e dhunës ndaj vajzës Xh.M. Ai tërheq vëmendjen e tyre, që të marrin masa të menjëhershme për të hetuar jo vetëm rastin e dhunës, por edhe të personave përgjegjës që nuk kanë kryer detyrat ose kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në lidhje me këtë vepër.

 

Organizatat jofitimprurëse të Rrjetit kanë në qendër të veprimtarisë së tyre mbrojtjen e grave dhe të vajzave nga dhuna. Në këtë kuadër, ato kanë ofruar dhe do të ofrojnë të gjitha shërbimet e nevojshme për të e familjarët e saj. Por, këtë thirrje e drejtojmë përpara institucioneve, duke kërkuar të përgjigjen përpara shoqërisë civile dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë se, përse në këtë rast, nuk ka funksionuar sistemi shtetëror për mbrojtjen nga dhuna të grave e vajzave. Është detyrë e organeve shtetërore, në mënyrë të veçantë e Ministrisë së Brendshme dhe e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që të analizojnë thellësisht shkaqet e kësaj dhune, të mosveprimit të institucioneve përgjegjëse në lidhje me të, si dhe të marrin masa urgjente për të proceduar përgjegjësit për abuzimin me detyrën, jo vetëm administrativisht, por edhe penalisht.

 

Në lidhje me mbrojtjen e vajzës, ne kërkojmë të dimë:

  • A ka pasur zvarritje në ndjekjen penale të çështjes?
  • A i është ofruar mbrojtja e duhur vajzës me qëllim që ajo të përdorë mjetet ligjore dhe të mos ndjehet e frikësuar dhe e kërcënuar?
  • A është referuar rasti në mekanizmin e referimit kundër dhunës në familje në Krujë, sipas shtojcës së ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”?
  • A do paraqesë policia kërkesën për të mbrojtur vajzën, parashikuar në ligjin e amenduar “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”?

 

Në lidhje me detyrat e organeve përgjegjëse, Rrjeti i Monitorimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes, pa zvarritje nga institucionet, si më poshtë:

 

  • Rrjeti i bën thirrje Prokurorisë së RSH, të kryejë hetime të shpejta me qëllim vënien e autorëve të dhunës para përgjegjësisë penale. Është detyrë e prokurorisë të forcojë ndëshkueshmërinë e autorëve të veprave të dhunshme ndaj grave dhe të sigurojë zbatimin efektiv të legjislacionit penal për një hetim i plotë, i gjithanshëm dhe objektiv. Kërkojmë nga prokuroria të hetojë me paanësi dhe përgjegjshmëri, me qëllim që, çdo person që ka shkelur ligjin, pavarësisht statusit të tij apo funksionit politik, të vihet para përgjegjësisë penale. Çdo vonesë në hetim jo vetëm mund të pengojë drejtësinë në zbardhjen e ngjarjes, por mund të dëmtojë edhe viktimën dhe ta riviktimizojë atë. Prokuroria e Krujës duhet të informojë publikun dhe shoqërinë civile nëse ka filluar ex officio apo me kallëzim procedimin penal për të gjithë personat e dyshuar që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje, si dhe kohëzgjatjen e hetimit.
  • Kërkojmë nga Ministria e Brendshme të japë sa më parë, sqarime në lidhje me zvarritjen e ndjekjes së kallëzimit të vajzës Xh.M. Pse ky organ nuk e ka referuar rastin në Bashkinë e Krujës apo në aktorë të tjerë të mekanizmit kundër dhunës në familje? Policia të ofrojë mbrojtjen e duhur dhe të sigurojë jetën e viktimës, si dhe të hetojë administrativisht nëse ka patur punonjës brenda sistemit të policisë që janë implikuar në këtë ngjarje dhe kanë shkelur ligjin, për të favorizuar fajtorët apo penguar zbardhjen e së vërtetës.
  • Organet e policisë, prokurorisë si dhe gjykata të zbatojnë parimin e barazisë para ligjit për të proceduar e ndëshkuar dhunuesit, pavarësisht nëse autorët e veprave penale janë të veshur me funksione zyrtare ose ushtrojnë autoritet publik.
  • I bëjmë thirrje Kuvendit, që bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të ushtrojë të gjitha mjetet e kontrollit parlamentar, me anë të komisioneve parlamentare përgjegjëse apo strukturave të tjera parlamentare që ndjekin çështjet e barazisë gjinore, mbi veprimet e ndërmarra nga organet përgjegjëse në lidhje me këtë rast.
  • U bëjmë thirrje partive politike dhe të gjitha institucioneve të medias, përfshirë median sociale, që të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave të viktimës, mosrespektimi i të cilit riviktimizon viktimën dhe shton rrezikun ndaj saj.
  • I bëjmë thirrje Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore të thërrasë sa më parë mbledhjen e radhës, për të shqyrtuar rastin dhe për të vendosur marrjen e masave të nevojshme, sipas përgjegjësive institucionale, për sa më sipër.

 

Të gjitha organizatat e këtij Rrjeti shprehin gatishmërinë e tyre për të vazhduar reagimin e tyre në mbështetje të viktimave të dhunës me bazë gjinore, deri në momentin që dhunuesit të përballen me përgjegjësinë penale dhe të marrin ndëshkimin e merituar sipas ligjit.

 

Mbetemi në dispozicion të plotë të vajzës Xh.M. për mbështetje përmes shërbimeve që ofrojmë. E ftojmë të na kontaktojë në numrat e telefonit të Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza 116117 dhe (04)2233408. Ne do t’i ofrojmë të gjitha shërbimet one stop shop, duke bashkëvepruar në rrjet.

 

 

Organizatat e Rrjetit të Monitorimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore

 

  1. AWEN – Rrjeti i fuqizimit të gruas në Shqipëri
  2. Shoqata Gruaja tek Gruaja, Shkodër
  3. Shoqata “Në Dobi të Gruas Shqiptare”
  4. Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim,  Tiranë
  5. Shoqata Unë Gruaja, Pogradec
  6. Shoqata Agritra Vizion, Peshkopi
  7. Forumi i Gruas Elbasan
  8. Shoqata Jona, Sarandë
  9. Zyra për Djem dhe Burra, Shkodër
  10. Qendra “Të Drejtat e Njeriut në Demokraci” (QDNJD)
  11. Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”
  12. Shoqata “Të ndryshëm dhe të barabartë”
  13. Shoqata YWCA Shqipëri
  14. IPSED – Instituti për Promovimin e Zhvillimit Social Ekonomik
  15. Instituti Shqiptar për Çështjet Publike, AIPA
  16. Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin ACPD
  17. Fondacioni Mary Ward Loreto
  18. Komiteti Shqiptar i Helsinkit
  19. Qendra “Fëmijët Sot”
  20. Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut
  21. Qendra Kombëtare për Shërbime Sociale
  22. Shoqata “Gruaja drejt Integrimit”
  23. Qendra Psiko – Sociale “Vatra”
  24. Qendra Për të Drejtat e Gruas Rome
  25. Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar. FSHDPA
  26. Shoqata e Grave Profesioniste dhe Afariste
  27. Qendra “Në Familje për Familjen”
  28. Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë
  29. Shoqata e Personave që Jetojnë me HIV/AIDS (PLWHA)
  30. Shoqata e Grave me Probleme Sociale
  31. Shoqata Kombëtare “STOP – AIDS”
  32. Shoqata Refleksione

 

  1. Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara (QSHPLI)
  2. Linja e Këshillimit për burra dhe djem (CLMB);
  3. Linja Kombëtare e Këshillimit për Gra dhe Vajza, 116117;
  4. Qendra “Shërbim Ligjor falas” TLAS.
  5. Shoqata “Zëri i fëmijëve na thërret”
  6. ‘Ad Litem’
  7. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA
  8. ALO 116
  9. Qendra për Zhvillimin e Grave Rurale (CDRW );
  10. Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri
  11. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNL)
  12. Observatori për të Drejtat e Fëmijëve
  13. Strehëza për Gratë dhe Vajzat e Dhunuara
  14. Rrjeti për Demokraci i Gruas Shqipëri
  15. Qendra Shqiptare për Zhvillimin e Familjes
  16. Qendra “Gratë në Shërbim Publik”

 

sqShqip